Secondary Adv

Tenderi, 7.7 mln euro për rikthimin në punë të puseve të Laknasit dhe furnizimin te Univers City

Ujësjellës-Kanalizime Kamëz hap tenderin për rikonstruksionin e dy puseve në Laknas dhe furnizimin me ujë të 9,400 banorëve.

Dy puse jashtë funksionit në Laknas do të rikthehen në shfrytëzim për të furnizuar me ujë zonën rezidenciale Univers City dhe një pjesë të banorëve të Kamzës, në kuadër të një investimi me fond limit 703.3 milionë lekë. Ujësjellës-Kanalizime Kamëz ka hapur tenderin që përfshin rikonstruksionin e puseve, ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe projektin e kolektorit të ujërave të zeza në grykën e Kaçanikut dhe rrugën Kallmet.


Investimi në ujësjellës është projektuar për t'i shërbyer një popullsie prej rreth 9,400 banorësh, pjesa më e madhe e të cilëve në zonën Univers City, një territor në zhvillim ku vijojnë ndërtimet e reja rezidenciale. Kapacitetet e sistemit janë llogaritur për një periudhë 25-vjeçare, deri në vitin 2051.


Dy puse në Laknas do të rikonstruktohen, kapaciteti arrin në 35 litra në sekondë

Sipas raportit teknik, dy puset ekzistuese AD01 dhe AD02 në Laknas kanë dalë jashtë përdorimit dhe do t'i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë. Pas përfundimit të ndërhyrjeve, ato parashikohet të sigurojnë një prurje të përbashkët deri në 35 litra ujë në sekondë, duke mundësuar furnizimin e zonave të përfshira në projekt.


Për realizimin e investimit, projekti parashikon ndërtimin e një depoje grumbulluese me kapacitet 1,000 metra kub, një depoje kullë prej 200 metrash kub dhe një stacioni të ri pompimi. Këto struktura do të shërbejnë për grumbullimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e ujit drejt zonave të banimit.


“Zona Univers City, me prurje llogaritëse Q = 32.4 L/s, do të furnizohet nga Depo Grumbulluese V = 1000 m³ nëpërmjet stacionit të pompimit, për shkak të disnivelit të kuotave”, thuhet në dokumentacionin teknik të projektit.


Një tubacion i ri 2.6 kilometra do të lidhë Laknasin me Univers City

Furnizimi me ujë i zonës rezidenciale Univers City do të realizohet përmes një tubacioni të ri me gjatësi rreth 2.6 kilometra, i cili do të lidhë puset dhe infrastrukturën e re të Laknasit me zonën e banimit. Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një sistemi rezervë furnizimi për rastet e avarive, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së shërbimit.


Linja e re drejt Univers City do të kalojë përgjatë rrugëve Kozare, Lunxhëri, Coca-Cola, Kallmet dhe Demir Nazeri. Sipas dokumentacionit, gjatë realizimit të punimeve parashikohet ruajtja në funksion e rrjeteve ekzistuese të ujësjellësit përgjatë itinerarit, për të shmangur ndërprerjet e furnizimit në zonat që aktualisht kanë akses në këtë shërbim.


Investimi përfshin edhe lagjen me 667 banorë në Laknas

Përtej zhvillimit të ri rezidencial Univers City, projekti përfshin edhe lagjen ndërmjet rrugëve Kozare dhe Nënë Tereza në Laknas, ku jetojnë rreth 667 banorë. Në këtë zonë, infrastruktura e furnizimit me ujë është e kufizuar, ndërsa projekti synon zgjerimin e rrjetit shpërndarës për banesat, bizneset dhe institucionet arsimore.


“Ujësjellës Kanalizime Kamëz nuk ka rrjet të identifikuar ujësjellësi përveç furnizimit me ujë të Shkollës dhe Kopshtit të Laknasit”, thuhet në raportin teknik.


Ndërtimi i rrjetit të ri shpërndarës do të përfshijë edhe institucionet arsimore të zonës, ku ndodhen një shkollë me 120 nxënës dhe një kopsht me 75 fëmijë. Investimi synon të përmirësojë aksesin në furnizimin me ujë për banorët dhe subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë pjesë të Laknasit.


Klorinim, monitorim elektronik dhe integrim me sistemin ekzistues

Projekti parashikon gjithashtu instalimin e sistemit të klorinimit të ujit, monitorimin elektronik të puseve dhe integrimin e infrastrukturës së re me sistemin ekzistues të kontrollit të ujësjellësit. Këto ndërhyrje do të mundësojnë ndjekjen e funksionimit të puseve dhe administrimin e furnizimit me ujë për zonat që do të përfitojnë nga investimi.


Në tërësi, tenderi me fond limit 703.3 milionë lekë përfshin rikthimin në funksion të dy puseve në Laknas, ndërtimin e depove dhe stacionit të pompimit, shtrirjen e tubacionit të ri drejt Univers City, zgjerimin e rrjetit shpërndarës për banorët e Laknasit, si dhe projektin e kolektorit të ujërave të zeza në grykën e Kaçanikut dhe rrugën Kallmet.


Me një horizont projektimi deri në vitin 2051, infrastruktura e re është dimensionuar për t'iu përgjigjur nevojave të furnizimit me ujë të rreth 9,400 banorëve, duke përfshirë edhe kërkesën e krijuar nga zhvillimet e reja rezidenciale në zonën Univers City.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat